Villarreali ka mposhtur Valencian me rezultat 3-1 në El Madrigal për të mbajtur gjallë shpresat për të siguruar vend për në Ligën e Kampionëve.
Joseba Llorente ishte heroi i ekipit vendas, pasi shënoi dy gola në pjesën e parë të ndeshjes, për t’i dhënë Villarrealit një fillim perfekt të ndeshjes (15’ dhe 31’).
David Villa shënoi edhe një gol në ‘torbën’ e tij këtë sezon, katër minuta para fundit të pjesës së parë, por ky nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë ndonjë pikë Valencias. Cani vulosi rezultatin duke shënuar golin e tretë për vendasit në minutën e 67-të.
Atletico Madrid po ashtu ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-1 në fushë të Atletic Bilbao, për të ruajtur pozitën e katërt në tabelë. Diego Forlan shënoi hat-trick në këtë ndeshje (73’, 77’ dhe 87’), ndërsa golin tjetër për madrilenët e shënoi Raul Garcia.
Villarreal do të mund ta marrë pozitën e katërt vetëm nëse shënon fitore ndaj Real Mallorcas në ndeshjen e ardhshme, dhe nëse Atletico Madrid humbet ndaj Almerias.