Ushtria pakistaneze thotë se trupat e tyre kanë hyrë në qytetin e Mingora-s, në Luginën Swat dhe janë përfshirë në luftime të ashpra me talibanët. Mingora është qyteti kryesor në luginë dhe korrespondenti i BBC-së në Islamabad thotë se kjo është ndoshta beteja më e rëndësishme në ofensivën e ushtrisë kundër Talibanëve në Swat.
Ushtria thotë se ka shkatërruar pjesën më të madhe të depove të municionit të talibanëve.
Të paktën 17 militantë janë vrarë sipas ushtrisë. Talibanët i kanë hedhur poshtë shifrat.
Banorët në Mingora thonë se talibanët po rezistojnë dhe ende janë në kontroll të qytetit.
Afro 1.5 milion njerëz janë zhvendosur nga luftimet e këtij muaji në rajonin veri-perëndimor, ka njoftuar agjencia për refugjatët e OKB-së.
Të premten, OKB bëri apel për $543m ndihmë humanitare për të zhvendosurit nga konflikti.
Ushtria pakistaneze filloi ofensivën kundër talibanëve në 2 Maj pas dështimit të marrëveshjes së paqes dhe kur militantët filluan të zgjeronin zonën e tyre të influencës.