Në një ndeshje dramatike të zhvilluar në San Siro, Roma ka mposhtur Milanin me rezultat 3-2, për të siguruar pozitën e gjashtë të tabelës, që dërgon në Kupën UEFA.Të zgjedhurit e trajnerit Luciano Spalletti kaluan në epërsi dy herë, por të dyja herët rosonerët barazuan. Megjithatë një gol i shënuar nga Francesco Totti doli të ishte vendimtar për tre pikët e reja të Romës.
John Arne Riise ishte i pari që i dha epërsinë Romës pas 36 minutash lojë, me një goditje nga gjuajtja e lirë, e cila përfundoi në këndin e majtë të sipërm të rrjetës së portierit Dida, e që ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Fundi i pjesës së dytë ishte pjesa më interesante e ndeshje, me katër gola të realizuar. Milani së pari arriti të barazojë me anë të Massimo Ambrosini në minutën e 75-të të lojës, por mysafirët rikthyen avantazhin shumë shpejt me anë të Jeremy Menez (79’).
Rosonerët megjithatë ruajtën ritmin dhe barazuan edhe një herë pas dy minutash tjera, sërish me anë të Ambrosinit, i asistuar nga Leite Kaka (81’).
Seria e golave në këto minuta të fundit të ndeshjes nuk ndaloi, me Francesco Tottin që shënoi një gol të shkëlqyeshëm nga gjuajtja e lirë, këtë herë në këndin e majtë të poshtëm të portierit Dida (85’).
Lojtarëve vendas kërkuan një penalti tre minuta para fundit të kohës së rregullt të ndeshjes, pasi Gianluca Zambrotta u ndalua në zonën e rreptësisë, por rosonerët mbetën me 10 lojtarë, me Amrosinin që u largua nga ndeshja me kartonin e dytë të verdhë, për shkak të reagimit.
Milani vazhdon të mbajë pozitën e dytë në tabelë me 71 pikë, pavarësisht humbjes, por që rrezikohet nga Juventusi dhe Fiorentina. Biankonerët me fitoren ndaj Sienës kanë barazuar pikët me Milanin, por qëndrojnë në pozitën e tretë për shkak të diferencës më të pakët të golave.
Fiorentina në anën tjetër, sot barazoi në fushë të ekipit të fundit të tabelës, Lecce, dhe mbetet në pozitën e katërt me tre pikë më pak se Milani dhe Juventusi (68), kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në fund të kampionatit. Fiorentina do të presë pikërisht Milanin në derbin e javës së fundit.