Vjedhja në Polici – arrestohen tre persona Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona që janë duke u
hetuar për involvimin e mundshëm të tyre në vjedhjen e rëndë që ka
ndodhur më 25 prill të këtij viti në Dhomën e Dëshmive në Polici – kur
janë vjedhur 47 kilogramë heroinë dhe më shumë se 3 milionë euro, në
valuta të ndryshme.Siç bëhet e ditur në një komunikatë të
Policisë së Kosovës, me datën 2 qershor, rreth orës 20:15, Departamenti
kundër Krimeve i PK-së ka realizuar një operacion në pikën kufitare të
Hanit të Elezit, ku janë arrestuar tre persona meshkuj, kurse dy femra
janë shoqëruar në polici.
Arrestimi është bërë me dyshimin e bazuar se, këta persona janë të
involvuar në aktivitete kriminale – mes të cilave dhe për vjedhjen e
rëndë në Dhomën e Dëshmive në Polici.
Në momentin e arrestimit, siç theksohet në komunikatë – njëri nga të
dyshuarit kishte dokumente me identitet të rrejshëm dhe të falsifikuar
dhe i njëjti ka tentuar të arratiset nga pika kufitare në kohën kur
ishte duke kaluar kufirin, mirëpo policia kishte arritur ta arrestojë.
Ndërkohë, janë arrestuar edhe dy meshkuj tjerë të cilit kishin
identitet të rrejshëm, si dhe janë shoqëruar edhe dy femrat që ishin së
bashku në automjet.
Në lokacionet e personave të arrestuar, është kryer kontrollimi i
shtëpive, ku është konfiskuar një armë automatike AK-47, një maskë dhe
dëshmi tjera.
Nga tre të arrestuarit, dy prej tyre kishin urdhër arrest të më hershëm
për vepër penale, tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, nga Prokuroria
e Qarkut në Prishtinë dhe Mitrovicë.
Për përgjegjësi administrative në këtë rast deri më tani janë
suspenduar pesë zyrtarë policorë, përfshirë shefin e Drejtorisë Kundër
Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës, nënkolonel Fatos Haziri
dhe zëvendësin e tij, major Haxhi Krasniqi.