Fotot skandal në vilën Certosa, ose ato që mediat i kanë quajtur fotot e ndaluara të Berlusconit (u ndaluan në Itali pas një padie të kryeministrit italian) kanë parë së fundit dritën e botimit. Shkrepjet e realizuara nga Antonello Zappadu në vilën e famshme Certosa, në maj të vitit 2008 po bëjnë 'xhiro' në gjithë faqet online të mediave.
E përditshmja spanjolle "El Pais" i ka publikuar sot ekskluzivisht, ndërkohë që gjithë shtypi evropian është duke i cituar në këto momente.
Janë pesë foto ku shfaqen vajza të bukura, të zhveshura dhe kryeministri italian Silvio Berlusconi.
Fytyrat janë mbuluar, si të vajzave dhe të personave të tjerë për të mos u identifikuar, ndërkohë që në to dallohet qartë kavalieri.
Fotot u sekuestruan pasi Berlusconi denoncoi fotografin për dhunim të privacisë dhe tentativë për mashtrim.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Berlusconit pas publikimit, duke i quajtur ato foto të pafajshme.
"Nuk ka asnjë skandal, por dhunim të privacisë dhe një sulm skandaloz", ka thënë ai, duke shpjeguar se fotot që publikohen janë të "personave që bëjnë banjë në brendësi të një shtëpie private, e cila është e destinuar për miqtë e tij".