Autoritetet meksikane thonë se numri i fëmijëve që humbën jetën si pasojë e zjarrit në një kopsht fëmijësh në shtetin Sonora është rritur në 38.Zyrtarët thonë se të paktën 23 vetë janë në spital pas zjarrit që ra të premten vonë në Kopshtin ABC në qytetin verior Hermosijos. Disa nga ata që i shpëtuan vdekjes u dërguan në klinika mjekësore të Shteteve të Bashkuara. 15 fëmijë janë në gjendje kritike.
Zyrtarët thanë se shumë nga viktimat që vdiqën nga asfiksimi ishin nën moshën 5 vjeç.
Sipas autoriteteve, më shumë se 140 fëmijë ndodheshin në kopsht kur nisi zjarri. Dëshmitarët okularë thonë se flakët bllokuan daljen e vetme të ndërtesës dhe një prind hapi një të çarë në mur me kamionin e tij për të shpëtuar njerëzit brenda.
Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende. Presidenti meksikan Felipe Kalderon i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë shkaqet e zjarrit.