NATO në moshën 60 vjeçare nuk e ka fatin që të ulë ritmet dhe të nisë një periudhë pushimi. Aleanca pas 60 vjetëve ende rritet. Ajo ka tani 28 anëtarë dhe i mbijetoi Luftës së Ftohtë.
Me ritme të reja, organizata po shndërrohet në një aktor global në fushën e sigurisë.
Por pavarësisht nga kjo, problemet për të po shtohen. Qëllimi i përbashkët i organizatës, i cili kuptohej dhe s'kishte dhe aq nevojë të theksohej gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, tani duhet të përforcohet.
Jaap de Hoop Scheffer është sekretari i përgjithshëm i Aleancës.
"Nga NATO, thotë ai, pritet që ta vendosë Afganistanin në rrugën e duhur. Pritet që organizata të pajtojë dëshirën e vazhdueshme të disa vendevve për anëtarësim, me nevojën për të arritur një marrëveshje të qendrueshme me Rusinë. Përveç kësaj, aleanca pritet të dalë me një përgjigje ndaj kërcënimeve të reja jokonvencionale."
Kështu, si thotë dhe z. Scheffer, NATO tani e ka ka pjatën të mbushur.
Çështja kryesore për të është Afganistani. Atje po vihen në sprovë kapacitetet politike dhe ato ushtarake të aleancës në një konflikt të gjithanshëm i cili kërcënon të zgjasë me vite.
Dhe si thotë ministri kanadez i Punëve të Jashtme, Peter McKay, Afganistani është sprova kyçe për aleancën.
"Dështimi në Afganistan, thotë ai, as që shtrohet si mundësi."
Afganistani nxjerr në sipërfaqe një seri problemesh nga e cila organizata vuan nga brenda. Një nga më të rëndësishmit është ai i ndarjes së peshës së detyrimeve të anëtarëve.
Një grup i vogël vendesh, mes tyre dhe Kanadaja, po mbajnë peshën më të madhe të luftimeve më të rënda dhe pësojnë numrin më të madh të viktimave në jug të Afganistanit. Dhe si e bën të qartë ministri kanadez McKay, ka ardhur koha që të tjerët tani të bëjnë më shumë.
"Vendet duhet të shohin se çfarë kapacitetesh kanë dhe cili është kontributi që japin dhe t'i krahasojnë ato, thotë ai. Nëse ato nuk dërgojnë trupa në terren kanë arsye financiare? Apo ka të bëjë kjo me aftësinë e tyre për të bërë më shumë në anën humanitare? Vetëm një qëndrim i tillë, i dykahshëm, shton ai, do të siguronte suksesin në Afganistan."
Por sipas sipas disa kritikëve, ajo që nevojitet, është një mënyrë e re krejtësist e re e bërjes së biznesit me Aleancën.
Radek Sikorski, ministri i jashtëm polak, thotë se kjo nuk do të thotë asgjë më pak sesa një vendosje e Aleancës në rrugën e luftës.
"Duhet të vendosim nëse jemi seriozë për të siguruar fitoren në Afganistan dhe nëse na nevojitet udhëheqje luftarake dhe kjo, shton ai, ndoshta do të thotë një rishikim i procedurave që kemi trashëguar nga e shkuara.
Na duhen rregulla për ta ndarë në mënyrë të drejtë barrën e trupave dhe të kostos dhe në të njëtën kohë, shton minsitri polak, na duhen procedura për dërgimin e trupave në fushën e betejës dhe përdorimin e tyre sipas logjikës ushtarake, jo asaj politike.
Një gjë e tillë, arrin në përfundim z. Sikorski, është shumë e vështirë që të bëhet por nëse nuk bëhet, rrjedha e zhvillimeve në Afganistan që për momentin nuk janë të favorshme, nuk ka për të ndryshuar."
Por sipas shumë zyrtarëve dhe kritikëve, në të njëjtën kohë, duhet bërë dhe një përpjekje shumë më e madhe për t'ia shpjeguar situatën elektoratit në vendet anëtare të aleancës.
Elaine Tauscher, është anëtare e Kongresit nga Kalifornia.
"Na duhet një narrativë për të shpjeguar me saktësi atë që po ndodh në Afganistan dhe pse është ajo me rëndësi," thotë z. Tauscher. "Kjo duhet bërë, shton ajo, jo vetëm për popullin amerikan, por nga gjithë partnerët në NATO për t'ia shpjeguar situatën gjithë atyre që po mbështesin përpjekjet amerikane në Afganistan. "
Vetëm pak kohë më parë, presidenti Barack Obama u përpoq ta bënte këtë, duke u fokusuar tek kërcënimi i vërtetë që përbën Al-kaida.
"Ata e kanë përdorur këtë terren malor si bazë për t'u fshehur, për të stërvitur terroristët, për të komunikuar me aktivistët, për të komplotuar sulme, për të dërguar luftëtarë për të përforcuar kryengritjen në Afganistan. Për amerikanët, tha presidenti Obama, ky rajon kufitar është bërë vendi më i rrezikshëm në botë."
Por nëse Al-Kaida përbën një sfidë të re në fushën e sigurisë, sfidat e vjetra nuk janë tejkaluar.
Ridalja në skenë e Rusinë së fuqishme po preokupon shumë mendje në Aleancë.
Të gjithë shpresojnë për një përmirësim në marrëdhëniet mes administratës së Obamës dhe Moskës. Askush nuk kërkon rikthim të ndasive të vjetra në Evropë, më shumë nga të gjithë ministri polak.
"Polonia është vendi i fundit në Evropë që kërkon të jetë në një lloj vije të parë të re të frontit dhe që nuk ndjehet rehat në këtë pozitë. Kështu që ne punojmë shumë për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë dhe ministri i jashtëm polak shpreh keqardhje për faktin se ne, si thotë ai, dhe intelektualisht nuk mendojmë më për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë. Por në të njëtën kohë, ai rreshton dhe arsyet për këtë: Kur NATO u zgjerua deri pranë kufijve tanë, kur Gjermania u ribashkua në fillim të viteve 1990, thotë z. Sikorskim, ne nuk e pamë këtë si kërcënim. Pse? Sepse ne e kishim përkufizuar marrëdhënien si një aleancë të mundshme. Rusia tani, shton ai, e ka përkufizuar NATO-n deri në një shkallë si "një organizatë jomiqësore", por ky ishte vendimi i saj."
Dikur, pas rënies së BS, kishte nga ata që hamendeshin nëse Rusia, një ditë edhe vetë mund t'u bashkohej radhëve të NATO-s. Kjo është pothuajse e pamundur të imagjinohet sot.
Sidomos pas pushtimit të Gjeorgjisë prej saj në verën e vitit të kaluar. Nato tani duhet ta pranojë se duhet të përballet me një Rusi që herë është e vështirë, herë është e pakënaqur, për të diskutuar dhe për tlë zgjidhur çështje të ndjeshme, si janë mbrojtja raketore apo zgjerimi i mëtejshëm i saj drejt Lindjes.
Dhe padyshim, NATO do që të mbijetojë dhe të zhvillohet në të ardhmen, për të mbetur një institucion relevant në një botë që ndryshon me shpejtësi marramendëse.
Jaap de Hoop Scheffer tha kështu në një konferencë në Bruksel se e ardhmja e NATo-s do të varet nga tre faktorë.
"I pari- zhvillimi i mjedisit global të sigurisë- e thënë ndryshe- cilat janë sfidat me të cilat duhet të përballemi gjatë viteve në vijim dhe si do të ndikojnë ato tek ne. Faktori i dytë, sipas z. Scheffer është qëllimi i përbashkët i aleatëve- apo i thënë ndryshe- a i perceptojmë ne njësoj krëcënimet dhe reagimet dhe nëse po, a kemi vullnet politik për të reaguar? Dhe faktori i tretë ka lidhje me NATO-n si institucion, tha z. Scheffer. A mundet organizata që të gjenerojë influencë të mjaftueshme politike dhe mbështetje të duhur ushtarake për të bërë atë në ne presim prej saj?"
Këto janë pyetjet kyçe për të ardhmen e Aleancës. Sepse NATO është një amalgamë e çuditshme diplomacie dhe veprimi ushtarak.
Por ajo është një organizatë aktive në të vepruar dhe ndoshta sot po bën më shumë nga ç'ka bërë gjatë 60 viteve të historisë së saj.
Ndërsa NATO zgjerohet, shtohen debatet për misionin dhe ndarjen e përgjegjësive në gjirin e saj- nëse ndarja është e drejtë a jo.
Samiti i ri do të rikonfirmojë aleancën ekzistuese mes anëtarëve, por për t'u zhvilluar më tej, ai duhet të shërbejë si pedanë për të bërë një rishikim thelbësor të mënyrës se si funksionon organizata në këtë botë të re të shekullit të 21-të.