Kuvendi i Kosovës merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
Një
delegacion i Kuvendit të Kosovës do të marrë pjesë në sesionin vjetor
të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që do të mbahet në Oslo të
Norvegjisë nga data 22-26 maj.Kuvendi i Kosovës do të
përfaqësohet nga udhëheqësi i delegacionit Xhavit Haliti, kurse pjesë e
delegacionit janë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së
Kosovës Naim Maloku dhe Slobodan Petroviq.
Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s marrin pjesë më se 500 delegatë nga
shtetet anëtare të NATO-s, Parlamenti Evropian, Asambletë
Interparlamentare dhe të ftuar të tjerë.
Është hera e pestë që Kuvendi i Kosovës merr pjesë në punimet e Komisionit për Dimensionin Civil të Sigurisë.
Udhëheqësi i delegacionit Haliti – siç thuhet në një komunikatë të
Kuvendit – do t’i njoftojë të pranishmit me hapat që ka marrë Kosova
për përmbushjen “me vendosmëri të angazhimeve të veta, të deklaruara
botërisht, për zbatimin e Planit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e
Statusit, të Presidentit Ahtisaari” dhe punën që ka bërë Kuvendi i
Kosovës për “shndërrimin në ligje të kërkesave të këtij Plani dhe për
mishërimin e tij tërësor në Kushtetutë”./Ardhmeria-Juaj/