Një zyrtar i lartë i qeverisë britanike e ka mbrojtur punën e bërë në qeverisjen e vendit nga ana e kryeministrit, Gordon Brown që po sfidohet nga brenda partisë së tij.Lord Mandelson, që është ministri përgjegjës për Biznesin, tha se Brown do të ketë sukses si udhëheqës i Britanisë nëse i përmbahej vlerave, të cilat mbronte.
Disa ministra të partisë Laburiste në pushtet kanë dhënë dorëheqje, në atë që duket si sfidë ndaj udhëheqësisë së Brown, pas rënies së mbështetjes për laburistët në zgjedhjet e fundit lokale dhe përpara rezultatit të zgjedhjeve parlamentare.
Pas disa ditësh të jashtëzakonshme për politikën britanike, disa prej kritikëve të kryeministrit Gordon Brown dhe madje disa nga mbështetësit e tij, mund të jenë duke menduar se si ai vazhdon të jetë në krye të qeverisë.
Ai i mbijetoi një momenti shumë të rrezikshëm, pas një thirrjeje të drejtpërdrejtë për dorëheqje nga një ministër i kabinetit që dha dorëheqjen.
Një tjetër rrezik po afrohet. Jo vetëm që rezultati i zgjedhjeve evropiane mund të jetë më i keq se ai i zgjedhjeve lokale, por mund të ketë vend për një telash edhe më të madh, nëse partia nacionaliste britanike e ekstremit të djathtë, mund të shënojë përparim.
Kjo mund të rindezë rebelimin brenda radhëve të laburistëve.
Ditën e hënë është planifikuar një takim i deputetëve laburistë që mund të jetë një takim vital.
Për momentin, Gordon Brown duket se e ka bërë solid kabinetin përreth tij.
Por ndryshimet që ai bëri në kabinet deri tani, në vend që të rivendosnin autoritetin e tij, theksuan dobësinë e tij, pasi ai nuk mundi të hiqte ministrat që donte të lëvizte.
Opozita vazhdon thirrjet për zgjedhje të parakohshme.
Kampi Brown shpreson që nëse në ditët në vazhdim mund të negociohet, partia të pranojë se nuk do të ketë ndryshim, të bashkohet dhe me shpresën e një perspektive për rimëkëmbje ekonomike të vijë edhe rimëkëmbja elektorale.