Serbët në veri të Kosovës kanë protestuar në afërsi të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë kundër vendosjes së kontrollit doganor nga ana e EULEX-it në afërsi të Leposaviqit dhe Zubin Potokut.Policia thotë se rreth 500 serbë kanë mbajtur të bllokuar për gjysmë ore rrugën për në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë, dhe më pas janë shpërndarë të qetë.
Organizatorët e protestës thonë se nuk do t’i paguajnë asnjë taksë doganore shtetit të pavarur të Kosovës që nuk njihet nga Serbia.
Zyrtarët serbë kërkojnë nga EULEX-i të ndërpresë menjëherë kontrollin doganor në veri të Kosovës dhe që të arrihet një marrëveshje me Serbinë për pagesën e taksave doganore, sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ata kanë paralajmëruar se nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet protestat mund të radikalizohen.
Protestat e serbëve vijnë pasi misioni evropian për sundim të ligjit filloi kontrollin doganor në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, të cilat ishin shkatërruar nga serbët, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.