Ekspertët për infeksionet janë duke u përpjekur për të reaguar ndaj shpërthimit të gripit të derrave në Meksikë dhe rasteve të dyshuara në vende të tjera.Si shpërtheu sëmundja?
Specie të ndryshme strehojnë forma të ndryshme të virusit të gripit.
Viruset e gripit, pësojnë mutacionie gjatë një periudhe kohë duke shkaktuar ndryshime të vogla të proteinave në sipërfaqen e tyre që quhen antigjene.
Nëse sistemi imunitar ka ndeshur një formë të caktuar virusi gripi në të kaluarën, ka gjasa që të ketë një farë imuniteti.
Por nëse antigjenet janë diçka e panjohur për sistemin imunitar, atëherë ai do të dobësohet.
Çfarë është gripi i derrave?
Gripi i derrave është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes që shkaktohet nga gripi i llojit A që prek derrat.
Ka disa lloje dhe infeksioni ndryshon në mënyrë konstante.
Deri tani nuk i kishte prekur njerëzit, por forma më e fundit i prek dhe mund të kalojë nga një individ tek tjetri, ndoshta përmes kollitjes apo teshtimës.
Cila është e reja për këtë lloj gripi?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se të paktën disa nga rastet tek njerëzit, janë varietete që nuk janë parë më parë të virusit H1N1 të gripit të llojit A.
H1N1 është gati i njëjti lloji virusi që shkakton shpërthimin sezonal të gripit tek njerëzit.
Por varianti më i fundit i H1N1është i ndryshëm. Ai përmban një material gjenetik që gjendet tek lloji i gripit që prek njerëzit, shpendët dhe derrat.
Viruset e gripit kanë aftësinë të këmbejnë komponente gjenetike me njëra-tjetrën dhe duket se versioni i ri i H1N1 rezultoi nga përzierja, brenda të njëjtës specie, e varianteve të ndryshme të virusit që zakonisht prekin specie të ndryshme.
Derrat përfaqësojnë një ambjent ideal për përzierjen e këtyre viruseve me njëra-tjetrën.
Sa i rrezikshëm është?
Simptomat e gripit të derrave duken të ngjashme me ato të gripit standart sezonal.
Këtu përfshihet; temperaturë, kollitje, dhembje fyti, dhembje trupi, ethe dhe këputje.
Shumica a rasteve në mbarë botën duken të lehta, por në Meksikë kanë humbur jetën dhjetra vetë.
Sa duhet të shqetësohemi?
Kur del një lloj i ri gripi që ka aftësinë për të kaluar nga një person tek tjetri, ai monitorohet nga afër për të parë nëse ka aftësinë për të t'u kthyer në një epidemi globale.
OBSH ka paralajmëruar se të marra sëbashku, rastet në Meksikë dhe në SHBA mund të çojnë një krizë globale dhe thekson se situata është serioze.
Megjithatë ekspertët thonë se është ende herët për të vlerësuar plotësisht situatën.
Aktualisht ata thonë se bota është më pranë një epidemije globale, sesa ka qënë ndonjëherë që prej vitit 1968, duke e vlerësuar shkallën e rrezikut në 3 nga 6 që është maksimalja.
Askush nu e di potencialin e plotë që kësaj epidemije, por ekspertët paralajmërojnë se mund të shkaktojë humbjen e miliona jetëve në botë.
Epidemija e gripit spanjoll që filloi në 1918 dhe u shkaktua nga një formë e H1N1, shkaktoi vdekjen e miliona vetëve.
Por fakti që të gjitha rastet në SHBA dhe në vende të tjera kanë treguar simptoma të lehta, është inkurajues.
Ajo sugjeron se shkalla e rëndë e këtij gripi në Meksikë mund të ketë lidhje me ndonjë faktor të caktuar gjeografik, ndoshta me ndonjë virus tjetër që qarkullon në këtë komunitet dhe që ndoshta nuk hyn në vende të tjera të botës.
Nga ana tjetër, personat e infektuar në Meksikë kanë kërkuar mjekim në kohën kur gripi ndodhej në një fazë të avancuar, ndryshe nga personat e infektuar në vende të tjera.
Mund të ketë të bëjë me faktin që gripi në Meksikë është ndryshe nga ai në vende të tjera, por kjo mund të konfirmohet vetëm me analiza laboratorike.
Ka shpresë se prej faktit që njerëzit janë zakonisht të ekspozuar ndaj formave të H1N1, sistemi ynë imunitar mund të ketë filluar ta luftojë infeksionin.
Megjithatë, fakti që shumë prej viktimave janë të rinj, vë në dukje diçka të pazakontë. Zakonisht gripi sezonal prek më tepër të moshuarit.
A mund të frenohet?
Virusi duket se ka filluar të përhapet në mbarë botën dhe shumica e ekspertëve besojnë se frenimi i tij në këtë epokë të udhëtimeve të shpeshta me avionë do të jetë shumë e vështirë.
A mund të kurohet?
Autoritetet amerikane thonë se dy medikamente që përdoren zakonisht për të kuruar gripin janë Tamiflu dhe Relenza, duken efektive për trajtimin e rasteve që ka ndodhur deri tani.
Megjithatë medikamentet duhen dhënë në një fazë të hershme për të qënë efektive.
Përdorimi i këtyre medikamenteve ka gjasa të bëjë që virusi të mos kalojë nga një individ tek tjetri.
Qeveria britanike ka krijuar një depozitë me medikamente Tamiflu si masë paraprake kundër një epidemije.
Është e paqartë se sa efektive mund të jenë vaksinat ekzistente për gripin, pasi virusi aktual dallon gjenetikisht nga forma të tjera gripi.
Shkencëtarët amerikanë janë duke përgatitur një vaksinë të re, por do të kalojë kohë përpara se ajo të perfeksionohet dhe të prodhohet në masë për të përballuar një kërkesë të madhe për të.
Në SHBA në 1976 u përdor një vaksinë për të mbrojtur njerëzit nga një lloj i gripit të derrave.
Megjithatë, ajo solli efekte anësore të rënda si sindromi Guillain-Barre. Pati më shumë vdekje nga vaksina, sesa nga gripi.
Çfarë duhet bërë për të qënë i mbrojtur?
Kushdo që ka simptoma të gripit, apo mund të ketë qënë në kontakt me virusin e derrave, - si për shembull ata që jetojnë apo kanë udhëtuar në Meksikë, - duhet të marrin këshillia mjeksore.
Por pacientëve u është kërkuar që mos shkojnë në ambulanca apo klinika të tjera për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së sëmundjes.
Ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të kontaktojnë për ndihmë shërbimin shëndetësor.
Cilat masa duhen marrë?
Shmagni kontaktetet me njerëz që nuk duken mirë me shëndet apo kanë kollë dhe temperaturë.
Kontrolli ndaj infeksioneve dhe higjena mund të ndihmojnë në zvogëlimin e shanseve për transmetimin e të gjithë viruseve, përfshirë edhe gripin e derrave.
Kjo përfshin mbulimin me shami të gojës dhe hundës kur kollitemi apo teshtijmë dhe më pas hedhjen e shamisë në koshin e plehrave.
Është e rëndësishme që duart të lahen vazhdimisht me ujë dhe sapun.
Personat që kujdesen për të sëmurët me grip duhet të mbajnë një maskë higjenike që mbulon hundën dhe gojën.
Ekspertët thonë se nuk prova shkencore që të mbështesin përdorimin në masë të këtyre maskave për t'u mbrojtur nga infeksionet.
A është e rrezikshme të hash mish derri?
Nuk ka prova që tregojnë se virusi mund të përhapet përmes konsumit të mishit të kafshëve të infektuara.
Megjithatë është thelbësore që mishi të gatuhet mirë në një temperaturë 70 gradë për t'u siguruar që virusi asgjesohet.
Po gripi i shpendëve?
Lloji i gripit të shpendëve që shkatoi një numër vdekjesh në Azinë Juglindore në vitet e fundit, ishte një lloj tjetër gripi prej atij të derrave.
Forma më e fundit e gripit të derrave është një lloj i ri i H1N1, kurse gripi i shpendëve ishte H5N1.
Ekspertët janë të shqetësuar se H5N1 ka potencialin të shkaktojë një epidemi, për shkak të aftësisë së tij për të pësuar shpejt mutacione.
Megjithatë deri tani, mbetet një sëmundje kryesisht e shpendëve.
Njerëzit e infektuar prej tij, pa përjashtim, punon me shpendët dhe rastet e përhapjes nga një individ tek tjetri kanë qënë shumë të rralla.
Nuk ka sugjerime se H5N1 ka fituar aftësinë për të kaluar lehtësisht nga një individ tek tjetri.