LDK: Zgjedhjet të organizohen nga institucionet e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur fillimin e bisedave që presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, në bazë të mandatit të tij kushtetues ligjor, i ka filluar me udhëheqësit e partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin lokal, zgjedhje të cilat duhet dhe do të mbahen në vjeshtën e sivjetme.
Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të jetë e pranishme në cilësinë e vëzhguesit dhe monitorimit të këtyre zgjedhjeve. Megjithatë, sa i përket organizimit të këtyre zgjedhje, Manaj ka thënë se LDK-ja mbështet organizimin e tyre nga institucionet e Kosovës.
“Tashmë kemi institucionet e konsoliduara të cilat kanë mundësinë dhe organizimin e duhur të zgjedhjeve të sivjetme për pushtetin lokal”, ka thënë Manaj të premten, në një konferencë për media. “Pra, kërkojmë prani të shtuar si një vend normal demokratik, siç kanë prani në këtë proces vendet e tjera me demokraci të konsoliduar”, ka shtuar ai.
LDK po ashtu ka përshëndetur vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden në Kosovë, duke e cilësuar si edhe një konfirmim i vazhdimësisë së pandërprerë të miqësisë dhe raporteve të mira ndërshtetërore mes Shetetve të Bashkuara të Amerikës dhe shtetit të ri të Kosovës.