Media shtetërore në Korenë e Veriut njofton se vendi ka kryer një test të ri me armë bërthamore. Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) thotë se arma e fundit ishte shumë më e fuqishme nga ajo e testuar në tetor të vitit 2006. Koreja e Jugut konfirmoi se kishte lokalizuar një dridhje sizmike në veri që sipas saj, e cila të bën të mendosh se është shkaktuar nga një shpërthim bërthamor.
Agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, thotë se Veriu ka testuar një raketë me rreze të shkurtër veprimi disa orë pas testit bërthamor.
Muajin e shkuar Koreja e Veriut u tërhoq nga bisedimet gjashtëpalëshe rreth programit të saj bërthamor.
Testi i Koresë së Veriut ka alarmuar fqinjët. Japonia tha se do të kërkojë një mbledhje urgjente të KS të OKB-së ndërkohë që Koreja e Jugut krijoi një ekip krize dhe nisi bisedimet urgjente.
Një zëdhënës për shtabin e ushtrisë tha se trupat janë vendosur në gjendje më të lartë gatishmërie.
Aksionet në bursën e Koresë së Jugut humbën katër përqind të vlerës nga droja se testi do të përshkallëzojë tensionet rajonale.
Ndërkaq Britania tha se testi shkelte rezolutat e OKB-së. SHBA nga ana e saj tha se po konsultohej me aleatët dhe Rusia se po ekzaminonte me kujdes të gjitha informatat.