Partia e Drejtësisë konsideron se çfarëdo shtyrje e zgjedhjeve lokale, jashtë afateve të përcaktuara me kornizën juridike të vendit do të paraqet goditje të rëndë për proceset demokratike në vend. “Zhagitjet në këtë drejtim i shohim si plotësisht të paarsyeshme duke qenë se ngrisin tensionet në shoqëri dhe vonojnë mobilizimin e përgjithshëm për përgatitje të zgjedhjeve të drejta dhe demokratike”.
Partia e Drejtësisë po ashtu ka përgëzuar të gjithë punëtorët shëndetësorë që – sipas kësaj partie - në rrethana shumë të vështira janë duke arritur të ofrojnë shërbime shëndetësore për qytetarët e Kosovës. Kjo parti ka shpreh keqardhje të thellë që ata janë të detyruar të ushtrojnë profesionin e tyre fisnik në rrethana të mungesës së skajshme të barnave dhe materialit të domosdoshëm harxhues.
Si shkak kryesor të gjendjes së rëndë në këtë rrafsh të shërbimeve shëndetësore, Partia e Drejtësisë e konsideron jostabilitetin e palejueshëm në postin e zyrtarit më të lartë civil në Ministrinë e Shëndetësisë, sekretarit të përhershëm, në të cilin brenda pak më shumë se një viti nga ministri i Shëndetësisë u ndërruan dhe emëruan katër zyrtarë.