Ambasadori shqiptar në Arabinë Saudite, Admirim Banaj i ka quajtur spekulime deklaratat e zyrtarëve serbë se Rezoluta e miratuar nga Organizata e Konferencës Islamike është amendamentuar. “Unë do ta quaja spekulim sepse njohja e Kosovës është çështje e sovranitetit te secilit shtet. OKI është një organizatë e cila krijon një linjë, krijon një imazh dhe njëkohësisht i jep një mbështetje jashtëzakonisht të madhe politike çështjes së Kosovës dhe për këtë arsye kjo rezolutë nuk kishte lidhje me posaçërisht njohjen e Kosovës”, ka thënë Banaj në një prononcim për RTV Dukagjini.
Ambasadori Banaj bëri të ditur se nga të gjitha takimet që kishte me përfaqësuesit e shteteve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike ka vërejtur disponim të mirë për njohje të shpejtë të Republikës së Kosovës. Ndërkaq shtoi se rezoluta e miratuar do të ndryshojë trajtimin e Kosovës nga vendet islamike.
“Kjo nënkupton një dinamikë tjetër se si do të trajtohet çështja e Kosovës. Sekretariati i Përgjithshëm dhe të gjitha strukturat e Organizatës së Konferencës Islamike janë një mekanizëm mjaft i fuqishëm për të lobuar dhe për të krijuar një atmosferë krejt ndryshe në mënyrën se si perceptohet çështja e Kosovës”, ka thënë ai.
Duke paralajmëruar njohje të reja, Banaj në një prononcim për RTV Dukagjini, ka thënë se, vendet islamike do ta ndihmojnë Kosovën edhe në fushën ekonomike.