Thaçi rifalënderon mbështetësit e Kosovës për anëtarësim në BB Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi falënderoi
edhe njëherë, të premten, të gjithë mbështetësit e Kosovës për
anëtarësimin e saj në Bankën Botërore dhe ditë më parë anëtarësimin në
Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Është kjo mbështetje
ekonomike, politike dhe diplomatike që do t’i duhet Kosovës edhe në të
ardhmen”, tha Thaçi në hapje të mbledhjes së Qeverisë.
Kryeministri Thaçi duke folur për zhvillimet shumë pozitive për
vendin gjatë kësaj jave anëtarësimin në institucionet financiare
ndërkombëtare e vlerësoi para së gjithash edhe si rezultat i punës së
mirë në Kosovë.
Shefi i ekzekutivit të vendit gjithashtu ka vlerësuar shumë lartë edhe raportin e “Transparency Internacional” për Kosovën.
“Kjo agjenci e ka radhitur Kosovën të fundit në rajon për shkallën e
ultë të korrupsionit “, ka thënë kryeministri Thaçi duke shtuar se ky
është rezultat i punës së mirë të institucioneve, i qeverisjes së mirë
, sundimit të ligjit dhe luftës së pa kompromis kundër dukurive
negative.
“Kjo është një mirënjohje për angazhimin e Qeverisë së Republikës së
Kosovës por edhe obligim që të punojmë edhe më mirë në të ardhmen”, ka
potencuar kryeministri Hashim Thaçi.