Në kohën kur po zhvillohen konsultimet përfundimtare për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale dhe kur vendi vazhdon të jetë pa Ligj për Financimin e Partive politike, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), kanë organizuar të premten një tryezë me temën “Financimi i partive politike-mënyrat më të mira të rregullimit ligjor”.Të pranishmit në këtë tryezë kanë dhënë rekomandime të ndryshme që duhet të jenë pjesë e Ligjit për Financimin e Partive Politike, i cili është vlerësuar tejet i rëndësishëm dhe urgjent.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka shpalosur detaje të draft-dokumentit politik për financimin e partive politike, të përgatitur nga KDI, dokument i cili pritet të jetë i gatshëm në fund të muajit qershor.
“Ajo çka dëshirojmë të transmetojmë nëpërmjet këtij dokumenti, është se Ligji demonstron vullnetin politik dhe kapacitetet shtetërore në luftë kundër korrupsionit, pastaj nevoja e transparencës dhe llogaridhënies së partive politike karshi qytetarëve, parimi i barazisë së partive, si dhe mbikëqyrja dhe sanksionimi”, ka thënë Kryeziu.
Panelistë në këtë tryezë kanë qenë: zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kryetarja e Partisë Reformiste ORA Teuta Sahatqija, drejtori i “Transparency International-Albania” Lutfi Dervishi dhe drejtori i NDI Carlo Binda.
Të pranishëm në tryezë kanë qenë edhe përfaqësues të lartë të partive politike, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të organizatave Jo Qeveritare dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si OSBE, UNDP, etj.
Zëvendëskryeministri Kuçi, ka premtuar se Ligji për Financimin e Partive Politike do të jetë gati para zgjedhjeve të ardhshme lokale. “Në konsultim me presidentin dhe institucionet tjera, jemi të interesuar që ta bëjmë një ligj adekuat, i cili garanton një proces të besueshëm të financimit të partive politike.
Teuta Sahatqija, kyetare e ORA-s, ka shprehur kundërshtimin e saj për financimin nga shteti vetëm për partitë parlamentare. “Nuk pajtohemi që financimi nga buxheti i Kosovës të financohen vetëm ato parti politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, ndërkaq ato që nuk e kanë kaluar pragun të mos financohen, kur dihet se ndahen 2 milionë € për këtë gjë”, tha Sahatqija.
Të pranishmit kanë kërkuar që pjesë e ligjit të jenë edhe elementet më të mira të ligjeve të shteteve të rajonit.
Përvojat e çështjes së financimit të partive politike nga Shqipëria, i ka sjellë drejtori i “Transparency International-Albania”, Lutfi Dervishi. “Në Shqipëri, çdo parti politike merr para nga shteti për fushatat, por në rast se partitë nuk hyjnë në Parlament, kjo kushtëzohet me kthimin e mjeteve”, ka thënë Dervishi.
Panelisti tjetër, drejtori i NDI, Carlo Binda ka vlerësuar se Kosova duhet ta ketë Ligjin për Financimin e Partive Politike, me standarde demokratike.
Partitë politike, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare, kanë kërkuar që sa më shpejt të jetë e mundshme, të nxirret ligji në fjalë.
Rekomandimet nga tryezaLigji për Financimin e partive politike, të jetë i gatshëm para zgjedhjeve lokale
Brenda ligjit duhet të parashihet raportimi i financave të partive politike në mënyrë të rregullt
Me anë të ligjit të shmangen keqpërdorimet nga partitë gjatë fushatave
Të shqyrtohet financimi i partive politike edhe jashtë parlamentit, por kjo të kushtëzohet me kthimin e mjeteve në rast se partitë nuk arrijnë të hyjnë në Parlament.
Në ligj të parashihen mekanizma të fuqishëm të mbikëqyrjes së financave të partive
Të ndalohet financimi i partive nga bizneset
Të nxirret Ligji për Partitë Politike